“Tirana, Green City”; nisma për zgjerimin e gjelbërimit zbret në kryeqytet

14/05/2016 17:25

Është mbajtur këtë të shtunë në ambjentet e Muzeut Kombëtar, në Tiranë, një event kushtuar gjelbërimit dhe zgjerimit të tij në kryeqytet e qytete të tjera të vendit.

Eventi, i organizuar nga Green Line Albania dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë së Tiranës, me qëllim promovimin e qyteteve të gjelbra, në harmoni me natyrën.

“Tirana, qytet i gjelbër” është pjesë e një fushate sensibilizuese të nisur më 22 prill, në Ditën Botërore të Tokës, e që përfundon më 22 maj.

I pranishëm në këtë takim, këshilltari i OKB për mjedisin, Bas Berends u shpreh se, institucionet e pushtetit vendor duhet të mbështesin edhe më fort aktivistët e shoqërisë civile të angazhuar në gjelbërimin e qyteteve.

“Bashkia Tiranë po bën një punë shumë të madhe me mbjelljet e reja duke i ridhënë jetë hapësirave të gjelbra por shteti duhet të inkurajojë e mbështesë vullnetarizmin e angazhimin e shoqërisë civile nga e cila pritet më shumë”, deklaroi Berends.

Ndërsa Julinda Dhame, drejtoreshë e përgjithshme e Zyrës së Promovimit të Qytetit pranë Bashkisë, tha se në Tiranë janë marrë masa për përmirësimin e cilësisë së jetesës.

“Organizimi periodik për pastrimin e qyteteve, përshtatja dhe krijimi i trotuareve, korsive të bicikletave, stacionet e autobusit etj, janë hapa të rëndësishëm drejt përmushjes së këtij misioni. Ditët Pa Makina, Aksionet  Pastrimit dhe Sheshet Pedonale janë tashmë aktivitete të shpeshta”, deklaroi Dhame.

Në të njëjtat linja u shpreh edhe drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe. “Puna jonë si një agjenci e specializuar për rritjen e sipërfaqeve të gjelbra konsiston në rritjen e vlerës kapitale të kryeqytetit, në përmirësimin estetik dhe ekologjik, zbukurimin e peisazhit, edukimin e brezave të rinj, rekuperimin e zonave të gjelbra të zaptuara, rikualifikimin urban, etj”, tha ai.

Top Channel