Lëmosha nuk është zgjidhje, Klosi: Kualifikim dhe punësim për familjet e varfëra

14/05/2016 00:00

Në ditën ndërkombëtare të familjes ministri i Mirëqënies Blendi Klosi ka shpalosur strategjinë e re të mbrojtjes sociale. Për ministrin Klosi ndihma financiare nuk është mundësia e vetme për familjet e varfra pasi ato duhet të integrohen në shoqëri dhe të punësohen. Një familje nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në ndihmë ekonomike pasi kështu nuk del nga varfëria.

“Hoqëm ndihmën e pjesshme që shkonte në masa shumë të vogla. Mos harrojmë se kishte nidhma vetëm 8 mijë lekë, ndërsa sot çdo familje me projektet tona pilote, do të jetë me vlerë të plotë, që do të shkojë mbase jo atje ku duhet po diferencë shumë herë më e madhe se sa ka qënë”, thotë Blendi Klosi, ministër i Mirëqënies Sociale.

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i pranishëm në aktivitetin për ditën e familjes theksoi se të gjitha barakat e romëve në Shkozë do të zëvendësohen me shtëpi.

“Bashkia e Tiranës brenda këtij viti do të shpërndajë pjesën e mbetur të banesave sociale. Javën që vjen ne do të fillojmë me një lagje të re rome në zonën e Shkozës. Do të zëvendësojmë të gjitha barakat me shtëpi që kanë dinjitetin që duhet të ketë secili që ka vendosur të jetojë në Tiranë”, njoftoi Veliaj.

Në rrugën pedonale u hap edhe panairi i shërbimeve për familjen.

Top Channel