Historia përmes pullave

14/05/2016 18:45

Thonë që ata janë maniakë e deri të sëmurë në ruajtjen e koleksionit të tyre. Karakteri i tyre është kembëngules dhe kërkues. Detajistë për të gjetur atë që mungon mes pikturash, librash, monedhash, pullash, etj. Por kjo i duket normale Thimi Nikës.

Me këto ndjesi, ky koleksionist pullash është rritur që në fëmijeri. Bir i një filatelisti, ashtu si vetë, dikur në fëmijerinë e tij në Berat kujton që çelte ekspozita me pullat e para të gjetura.

“Unë fëmijërinë e kam kaluar në Berat, ku kam bërë një ekspozitë kur isha 9 vjeç. Në dërrasën e zezë të klasës vumë një letër të bardhë, vinim ca pineska që i ngjisnim, por ruheshim që të mos dëmtoheshin pullat”, tregon Nika.

Pullat e tij më të vjetra jane 103-vjeçare, që kur në majin e 1913-s u krijua edhe pulla e parë shqiptare. “Lef Nosi, që ishte ministri i parë i Postave, me mjetet rrethanore të kohës bëri pullën që kishte vlerën e një piastre. Ishin zarfa dhe mbi to vendosej pulla e postës”, tregon Nika.

Sipas tij, në këtë koleksion ka mbi 1 shekull histori, kulturë, e madje enckiklopedi. Në këto pulla, që i përkasin përiudhës së para çlirimit, kohës së mbretërisë, regjimit komunist dhe Shqipërisë së tranzicionit, ka art. Sepse, sipas filatelistit, çdo pullë ka krijim dhe komunikim.

“Pullat janë vepër arti. Kushdo bëhet kurioz për t’i parë”, shprehet ai.

Thimi Nika thotë se jeta e tij është e një njeriu të zakonshëm. Por ajo është e zbukuruar nga koleksioni. Ai lumturohet kur gjen diçka të rrallë edhe sot e kësaj dite, sepse pullat janë si fëmijët.

“I ruaj me një fanatizëm të jashtëzakonshëm, siç do ruaja fëmijën tim se mos i ndodh gjë në rrugë”, tregon Nika.

Së fundmi ai ka qenë mikprites në Shqipëri i konkurs-ekspozitës së parë ballkanike të pullës postare dhe materialeve të tjera filatelike. Me një histori 50-vjeçare, Balkan Fila 2016 i ka dhënë Thimi Nikës medaljen e artë për librin e tij “Historia e Filatelisë Shqiptare”.

Pasioni e nxiti atë të thellonte dijet. Si njohës shumë i mirë i filatelisë, përveç koleksionit, Thimi Nika eci paralelisht me punën studimore.

“Unë do ta quaja libri i jetës sime. Unë iu përkushtova këtij libri nisur nga pasioni, por edhe një boshllëk në leteraturën filatelike shqiptare. Për ta shkruar nuk mu desh shumë, për të grupuar materialin po. Një nga këto pulla kushton sot 30 mijë dollarë”, thotë Nika.

E vështirë ta çmojë në vlerë monetare koleksionin e tij, edhe pse e ka një të tillë padyshim, ai ka një ndjenjë shpirtërore për të. Ai thotë se e ka krijesën e tij dhe gjithçka do të ngelet në familje. Ka menduar t’ia lerë trashëgimi nipit dhe t’i mësojë atij dashurinë për të koleksionuar e ruajtur pulla.

Pullat marrin jetë nga shkrimi i letrave. Sot jetojmeëkohën e internetit dhe postës elektronike. Mbase një ditë ato do të shndërrohen në antikuare. Thimi Nika e parandien këtë, por tashmë ai ka ende kohë për të shijuar punën që ka bërë me to. Të blerë çdo emision të emetuar dhe t’ju flasë të tjerëve sa shumë e do këtë. 

Top Channel