Gazetari: Jeni në grupin më frankofon. Rama: Edhe më shqiptarë

14/05/2016 00:00

Në fund të intervistës për TV5 Monde, si një ish-basketbollist, por edhe si një ndjekës dhe dashamirës i futbollit, Edi Rama u pyet edhe për Shqipërinë në Europianin francez.

Gazetari i vuri në dukje kryeministrit se Shqipëria ndodhej në grupin më frankofon të finaleve, por kreu i qeverisë përveç kësaj vuri në dukje edhe një veçori tjetër të këtij grupi.

“Është edhe grupi më shqiptar sepse në ndeshjen e parë me Zvicrën, më shumë se gjysma e skuadrës së parë zvicerane janë shqiptarë. Janë dy vëllezër, me të njëjtët prindër, njëri luan me Zvicrën dhe tjetri luan me Shqipërinë. Në një aspekt, është një derbi mbarëshqiptar. Më pas është Franca dhe Rumania”, tha ai.

Rama tha se kalimi i grupit do të jetë një mision i vështirë për kuqezinjtë dhe bëri një paralelizëm.

“Do të jetë e vështirë, por ne kemi përmbushur një ëndërr duke qenë në Francë, ku jemi pjesë e Bashkimit Europian të Futbollit dhe shpresojmë që nën shembullin e ekipit tonë të futbollit, të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian të vërtetë”, u shpreh ai.

Top Channel