Ibrahimovic njofton largimin nga PSG

13/05/2016 10:45

Zlatan Ibrahimovic ka njoftuar se do të largohet nga Paris Saint Germain. Sulmuesi suedez e dha lajmin me anë të një postimi në Twitter.

“Erdha si mbret, po iki si një legjendë”, shkroi Ibra, duke saktësuar se të shtunën do të jetë ndeshja e tij e fundit në stadiumin “Parc de Princes”.

Për momentin, Ibrahimovic nuk ka zbuluar se kush do të jetë skuadra e tij e radhës.

Ibrahimovic u transferua te Paris Saint Germain në vitin 2012, për t’u larguar pas 4 sezonesh. Në Francë fitoi gjithçka, por në Ligën e Kampioneve asnjëherë nuk mundi të shkojë përtej çerekfinaleve me fanelën e skuadrës pariziene.

Në këtë sezon të fundit të Ligue 1, Ibrahimovic ka shënuar 36 gola në 30 ndeshje dhe tani i duhet të zgjedhe destinacionin e ardhshëm, që do të jetë edhe i fundit në karrierën e tij, duke parë edhe moshën e tij.

Milan ëndërron rikthimin e tij, por ai tundohet edhe nga SHBA, ku Los Angeles Galaxy ka shfaqur interes për të.

Gjithsesi, për këtë çështje Ibra ka ende kohë. Në këtë moment ai duhet të mendojë më shumë për Evropianin e Francës.

Top Channel