“Invictus”, rreshterja ia dedikon medaljen e artë spitalit “Papworth”

12/05/2016 00:00

Elizabeth Marks fitoi të gjitha garat e notit në lojërat “Invictus” të Orlandos, lojëra paralimpike ku marrim pjesë ushtarë që kanë humbur gjymtyrët në luftë, apo veteranë të saj.

Por më shumë sesa performanca, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen e medieve dhe të të gjithëve, ishte momenti kur rreshterja 25-vjeçare i ktheu mbrapsht medaljen e arit Princ Harryt, i cili është njëkohësisht dhe një nga organizatorët e këtij eventi.

Princi në fillim e refuzoi, por fjalët e Elizabethës bënë që ai, jo vetëm të pranojë medaljen, por të bëjë dhe postierin. Mediet amerikane dhe ato britanike shkruajnë se, rreshterja 25-vjeçare ka kërkuar nga princi, që medaljen e artë t’ua dorëzojë ekipit të mjekëve të spitalit “Papworth” në Kembrixh, pasi gjatë lojërave të 2014-s ishin ata që i shpëtuan jetën.

“Isha në koma farmakologjike për 10 ditë dhe ishin ata, mjekët që më shëruan. Do t’u jem mirënjohëse për të gjithë jetën”, tha rreshterja-notare Marks.

Rreshterja amerikane ishte plagosur në Irak në vitin 2010, aty ku humbi dhe ndjeshmërinë e këmbës së majtë.

Top Channel