Ferrarit i duhet një fitore, urgjent!

12/05/2016 00:00

“Do të fitojmë së shpejti. Madje menjëherë, që të dielën”. Kështu është shprehur shefi i skuadrës Ferrari, Sergio Marchionne, duke ju referuar luftës për titullin në Formula 1.

“Kemi qenë të pafat deri tani, por pres 2 fitore shumë shpejt, duke filluar nga Spanja”, u shpreh Marchionne, duke rritur ndjeshëm presionin ndaj skuadrës, për rezultatet e arritura deri tani, edhe pse në bisedat informale, shefi i “Kokëkuqes” ka shprehur besim të plotë te Drejtori Sportiv Arrivabene, shumë i përfolur për një largim në media.

Dhe në fakt, Ferrari nuk është dhe aq “keq” sa duket në tabelën e klasifikimit, ku “Kokëkuqja” ka një diferencë prej 81 pikësh me Mercedesin, ndërsa Raikkonen dhe Vettel kanë përkatësisht 57 dhe 64 pikë diferencë me liderin e kampionatit, Nico Rosberg.

Në të vërtetë, tabloja e kampionatit ka konfirmuar pikërisht atë pamje që u pa në testet dimërore me Ferrarin, që ka konsoliduar vendin si forcë e dytë, veçanërisht në ritmin e garës, edhe pse në Kinë Red Bulli dha shenja se do të bëhet konkurruese. Por si “të dënuar për të fituar” në Spanjë, për të mos e lënë përfundimisht Mercedesin të shkëputet dhe për të evituar krizën pranverore, ky nuk është maksimumi. Pista e Barcelonës nuk është një aleate e Ferrarit. Asfalti shumë abraziv i detyron skuadrat që të përdorin gomat e mesme dhe të forta, ose ato që më pak përshtaten me këtë Ferrari.

Në këto kushte, Ferrari ka zgjedhur një set më shumë të gomave të buta, krahasuar me rivalët e Mercedesit, që nga ana e tyre kanë rezultate më të mira me të mesmet. Ndoshta në këto kushte edhe Marchionne do të ishte më mirë që të synonte suksesin e parë sezonal në Montekarlo.

Top Channel