Afron Euro 2016, ja çfarë nuk dini për eventin

12/05/2016 00:00

Euro 2016 po afron dhe Franca po kthehet në epiqendrën e botes se futbollit. Janë të shumtë ata që do të shkojnë në këtë vend për të ndjekur eventin më të rëndësishëm futbollistik të kontinentit të vjetër.

Një studim i Observatorit Trivago zbulon disa prej kurioziteteve më interesante duke nisur me sfidën më të kushtueshme të fazës së grupeve që është Itali-Irlandë që do të luhet në Lilë. Qëndrimi në këtë qytet ditën e sfidës kushton 814 Euro.

Ndërsa sfida më pak e kushtueshme është ajo mes Shqipërisë dhe Zvicrës më 11 qershor në Lens. Shifra që shpenzohet për qëndrimin në këtë qytet në këtë ditë është vetëm 134 euro.

Pavarësisht çmimit të ulët, në fushën e lojës janë futbollistë që njihen; nga Lichtsteiner te Shaqiri nga Behrami te Xhemaili për të kaluar më pas te Berisha, Hysaj e Memushaj.
 
Të dhëna interesante janë publikuar edhe përsa u përket tifozëve. Kështu më të interesuarit janë hungarezët, kjo për faktin se përfaqësuesja e tyre kthehet të marrë pjesë një Europian pas 44 vitesh.

Ndërsa më pak të interesuarit janë tifozët rusë. Tifozët më dorështrënguar janë çekët që nuk kanë ndërmend të shpenzojnë më shumë se 265 euro, kurse ata që nuk kursehen aspak janë zviceranët që janë gati të paguajnë deri në 436 euro në natë.

Tifozët më optimistë padyshim janë francezët dhe kjo për faktin se Europiani luhet pikërisht në vendin e tyre. Finalja e Europianit do të zhvillohet në Paris me kryeqytetin francez që do të pushtohet edhe nga tifozët japonezë.

Interesimi për ndeshjen e fundit të Euro 2016 i vendos ata në vendin e tretë pas francezëve e zviceranëve dhe të parët përsa u përket vendeve joeuropiane, një e dhënë kjo që Euro 2016 ka ngjallur një interes të madh edhe në shtetin aziatik.

Top Channel