“Reja” mbërrin në Tiranë

11/05/2016 00:00

Ka përfunduar ndërtimi i instalacionit “Reja” në Tiranë, një krijim i arkitektit japonez Fuxhimoto dhe që është zhvendosur në kryeqytetin tonë nga Londra.

Puna për realizmin e këtij instalacioni ka nisur që në muajin janar, ndërsa janë dashur më shumë se 17 kamionë për të sjellë pjesët e kësaj vepre arti, pa asnjë ndryshim nga ekspozimi i saj në Londër, në galerinë “Serpentine”.

“Vlerat e Resë, së pari janë artistike, një vepër monumentale, tërheq vëmendjen dhe ne po krijojmë një atraksion artistik, kulturor dhe turistik”, thotë Edit Pula, drejtore e Projektit “Reja” në Bashkinë e Tiranës.

Instalacioni me sipërfaqe rreth 540 m katrorë dhe lartësi maksimale 7 metra, do të qëndrojë për tre vite në Tirane, ndërsa vjen si donacion i Fondacionit “Luma”.

“Në momentin që do të heqim këtë gardh, që nuk po e hapim për shkak të mbylljes së detajeve të fundit, nga ai moment do të ketë akses për të gjithë”, thotë Pula.

Top Channel