Kandidati për president të SHBA, Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë një përjashtim për kryetarin e ri të Bashkisë së Londrës, duke iu referuar kështu propozimit të tij për ndalimin e ardhjes së myslimanëve në Amerikë.
Për shkak të besimit të tij, zoti Sadiq Khan kishte shprehur shqetësimin se nuk do të mund të vizitonte Shtetet e Bashkuara nëse zoti Trump zgjidhej president.
Më herët gjatë fushatës së tij Trump propozoi ndalimin e hyrjes në Amerikë për myslimanët, pas sulmeve të vitit të kaluar në Paris ku humbën jetën 130 persona.
Ai është kritikuar për këtë në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën, por biznesmeni miliarder i qëndron vendimit të tij me argumentin se është i nevojshëm për sigurinë e Amerikës.
“Do të ketë gjithmonë përjashtime”, ka thënë Trump, duke u shprehur “i lumtur” që zoti Khan do të qeverisë Londrën. “Nëse ai bën një punë të mirë, ose një punë shumë të mirë, kjo do të ishte fantastike”, ka vijuar ai.
Khan, fëmijë i emigrantëve pakistanezë, është kryetari i parë mysliman i Bashkisë së Londrës, pasi mundi në zgjedhje rivalin konservator Zac Goldsmith.
“Unë dua të shkoj në Amerikë që të takohem dhe të vendos marrëdhënie me kryebashkiakët e atjeshëm, por nëse Donald Trump bëhet president nuk do të mund të shkoj për shkak të besimit tim”, kishte thënë ai gjatë fushatës.
Top Channel