Karabinierët e Repartit të Operacioneve Speciale në Bari të Italisë kanë ndaluar dy persona me kombësi afgane, nën akuzën e terrorizmit ndërkombëtar.
Sipas mediave italiane, nga hetimet e kryera nga Drejtoria Rajonale e Antimafias ka rezultuar se të ndaluarit po planifikonin sulme në Itali dhe Angli, ne qytetet Romë, Bari dhe Londër.
Ndërkohë, 3 persona të tjerë, të akuzuar për terrorizëm dhe favorizim të emigracionit klandestin, janë shpallur në kërkim.
Sipas burimeve, të ndaluarit rezultojnë të jenë pjesë e një organizate mbështetëse të terrorizmit ndërkombëtar në Itali dhe vende të tjera si Francë e Belgjikë.
Organizata në fjalë ishte e tipit kriminal, e mirëstrukturuar dhe shërbente si një rrjet për mbështetje logjistike në favor të grupeve të njohura terroriste si ISIS apo Al Kaeda.
Personat e ndaluar, sipas hetuesve, u ofronin mbështetje individëve të gatshëm për të kryer sulme vetëvrasëse apo aksione ushtarake në vende të huaja.
Hetimet mbi këtë grup nisën 16 dhjetorin e kaluar, kur karabinierët ndërhynë pas sinjalizimeve se individë të dyshimtë po filmonin subjektet në aeroportin e Barit. Në telefonët dhe kompjuterët e tyre policia gjeti materiale me të dhëna për armët dhe video me stërvitjet e militantëve.
Top Channel