Miratohet shitja e aksioneve të “Bankers Petroleum”

10/05/2016 00:00

Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka miratuar shitjen e aksioneve të “Bankers Petroleum” tek kompanitë “Alberta Ltd.” dhe “Charter Power Investment Ltd.”, që janë degë të kompanisë kineze “Geo-jade Petroleum”. Vlera e shitjes është 392 milionë euro, pa përfshirë detyrimet. Njëkohësisht, kjo marrëveshje ka marrë miratimin edhe të disa autoriteteve kineze.

Palët vazhdojnë të ndjekin ecurinë e miratimeve që nuk janë marrë ende nga Akti i Investimeve në Kanada dhe nga Administrata Kineze Shtetërore e Këmbimit Valutor.
 
“Bankers” do të mbajë mbledhjen e veçantë të aksionerëve më 31 maj, duke kërkuar miratimin e aksionerëve për marrëveshjen. Nëse miratohet nga aksionerët, mbyllja e marrëveshjes realizohet në qershor të këtij viti, në vijim aksionet e “Bankers” nuk do të tregtohen më në bursën e Torontos dhe në tregjet e Bursës së Londrës.

Marrëveshja duhet të miratohet nga jo më pak se 2/3 e aksionerëve. “Bankers” operon prej 12 vitesh në Shqipëri duke marrë me koncesion për 25 vite fushën e Patos-Marinzës, më e madhja në nxjerren e naftës në vendin tonë.

Top Channel