Djali i rrëmbyer i ish-kryeministrit pakistanez, Yusuf Raza Gilani, është liruar në Afganistan falë një operacioni blic të forcave speciale amerikane dhe atyre afgane.
Autoritetet pakistaneze deklarojnë se ai do të transferohet në Pakistan pasi t’i jetë nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Ali Haider Gilani ishte rrëmbyer tre vjet më parë në lokalitetin e Multanit, teksa ndodhej në një fushatë elektorale për Partinë Popullore të Pakistanit.
Ai u mor me forcë nga persona të armatosur që hapën zjarr gjatë tubimit më 9 maj të 2013-s, dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme. Prapa rrëmbimit është menduar se kanë qenë guerrilasit talebanë.
Kryetari i PPP-së, Bilawal Bhutto njoftoi lajmin në Twitter, duke thënë se pengu “është liruar përmes një operacioni të suksesshëm”.
Edhe Ministria e Jashtme pakistaneze pohoi lajmin, duke nënvizuar se e kishte marrë konfirmimin nga krerët e forcave afgane të sigurisë.
Ali Haider Gilani është djali më i vogël i Yusuf Raza Gilanit, që ka qenë kryeministër i Pakistanit nga viti 2008 në 2012.
Top Channel