Rrugët pa standarde, Policia: Shkak për aksidentin e Golemit

09/05/2016 00:00

Komisariati i policisë së Kavajës e kishte denoncuar hapjen e rrugës në mënyrë të paligjshme që më pas solli aksidentin tragjik ku humën jetën 2 fëmijë, por autoritetet përkatëse nuk morën asnjë masë.

“Policia rrugore e Kavajës, komisariati i policisë ka bërë shkresat përkatëse, ka tentuar pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar për ta sinjalizuar për këtë anomali, po dhe anomali të tjera. Por akoma i takon organeve të tjera të marrin vendime, autoritetit rrugor ta përmirësojë sistemin e sinjalizimit”, thotë Mitat Tola, drejtor i përgjithshëm i Policisë Rrugore.

Por segmenti Kavajë-Rrogozhinë nuk është i vetmi ku në pjesë të saj mungojnë barrierat mbrojtëse dhe sinjalistikat përkatëse.

“Unë u ktheva nga Morina dhe atje ka pjesë të veçanta ku mungonte gardeli metalik. Bota dhe në rastet kur këto mungojnë vendos xhersi plastik të mbushura me ujë ose rërë”, shprehet Artur Sulçe, ekspert i sigurisë rrugore.

Krahas barrierave mbrojtëse një burim aksidentesh janë edhe mungesa e rrjetave rrethuese në autostrada.

“Përfshirja e këmbësorëve, kalimi i tyre, futja e kafshëve në autostrada, bën që të përfshihen në aksidente me pasojë”, vijon z. Tola.

Vetëm në 4-mujorin e parë të 2016-ës numërohen 80 viktima në më shumë se 600 aksidente të ndodhura.

Top Channel