
Më shumë se 47 milionë njerëz në botë vuajnë nga sëmundja e demencës, që vjen si pasojë e dëmtimit të qelizave të trurit. Forma më e përhapur e saj është alcajmeri. Sëmundja ndërpret kujtesën, duke dënuar pacientët të mbyllen në vetvete.
Por, edhe pse këtij numri i shtohen 7 milionë raste të reja çdo vit, shkencëtarët nuk kanë gjetur ende një mënyrë për të trajtuar sëmundjen.
“Deutsche Telekom” ndërmerr nismën e parë serioze për mbledhjen e të dhënave, që do të përdoren më pas nga kërkuesit shkencorë. Kjo, përmes lojës “Heroi i detit”, që mund të shkarkohet falas në çdo aparat telefonik “smartphone”. Mungesa e orientimit është shenja e parë e demencës, e për këtë arsye, loja bazohet në mënyrën sesi orientohet secili prej nesh në këtë fushë.
“Përmes lojës do të shohim sesi njerëz të ndryshëm orientohen në mosha të ndryshme. Themi që kjo përkeqësohet me kalimin e viteve, por nuk e dimë me saktësi. Do të shohim sesi orientohen meshkujt dhe femrat. Çdo çift që ka udhëtuar me të njëjtën makinë sheh që sjellja është e ndryshme, por shkencërisht nuk dihet përse. Pastaj, në nivele të ndryshme brenda lojës do të shohim sa të suksesshëm janë njerëzit për t’u orientuar, si i përdorin pikat e referimit, apo mjafton orientimi sipas kahut majtas-djathtas”, tha Michael Hornberger, profesor i Kërkimit mbi Demencën.
“Njerëzit shpenzojnë 3 miliardë orë në javë me lojëra të ndryshme, ndaj menduam t’i inkurajojmë të shpenzojnë këtë kohë për të bërë një gjë të mirë. Kjo bazohet te strategjia jonë për të ndarë momentet me të tjerët. Kështu, sa më shumë njerëz të shpëndajnë këtë lojë, aq më shumë ndihmojmë shkencën dhe në fund të fundit është në interesin tonë, që njerëzit të jenë në gjendje të shpërndajnë momentet më të çmuara të jetës së tyre, sepse kjo është pjesë e ADN-së sonë”, u shpreh Hans-Christian Schwingen, drejtor i Markës “Deutsche Telekom”.
Top Channel