Dhuna, drejtori sportiv i Korabit akuzon zyrtarët e Kastriotit

08/05/2016 00:00

Dhuna e shfaqur pas përfundimit të dy ndeshjeve, Korabi-Kastrioti dhe Pogradeci-Luftëtari, ka shqetësuar Federatën Shqiptare të Futbollit.

Pasi i dënoi ashpër këto akte, FSHF kërkoi nga komisionet përkatëse në këtë institucion marrjen e masave drastike për aktorët e këtyre gjesteve që prishin imazhin dhe nuk kanë asnjë lidhje me futbollin.

Edhe për klubin e Korabit dhuna duhet dënuar, por sipas drejtuesve të saj, nuk duhen lënë pas dore as provokatorët që iniciuan këto akte.

“Dënojmë me forcë aktet e dhunës dhe distancohemi në çdo moment të shfaqjes së saj. Nuk ka asnjë aryse që tifozët të ushtrojnë dhunë kur janë fitues. Persona nga stafi i Kastriotit me lojtarë rezervë kanë hyrë në fushë dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tifozëve tanë që po festonin me futbollistët këtë fitore”, u shpreh Sokol Muho, drejtor sportiv i klubit Korabi.

Muho shkon edhe më tej me akuzat ndaj stafit të skuadrës krutane.

“Nga dita e mërkurë deri në ditën e ndeshjes nga stafi drejtues i Kastriotit është bërë presion ndaj lojtarëve të Korabit me telefon dhe takime direkte për kompromise”, vijoi Muho.

Pritet që në ditët e ardhshme Komisioni i Disiplinës në federatë të japë dhe vendimet e saj në lidhje me ngjarjet ne fushën e Peshkopisë dhe atë të Pogradecit, aty ku u luajtën dy ndeshje të rëndësishme të Kategorisë së Parë.

Top Channel