Aksident i tmerrshëm në Afganistan, mbi 70 të vdekur

08/05/2016 00:00

Dy autobusë dhe një autobot me karburant u përplasën në një autostradë në Afganistan, duke vrarë mbi 70 persona. Zyrtarë lokalë deklaruan për mediet se, mbi 50 të tjerë që mbetën të plagosur janë shpërndarë në spitalet e provincës Gazni, ku dhe ndodhi aksidenti.

Të tri mjetet e përfshira në aksident morën flakë në rrugën që lidh kryeqytetin Kabul me qytetin jugor të Kandaharit. Në fillim, mediet raportuan për mundësinë e një sulmi terrorist, por këto zëra u hodhën poshtë nga autoritetet, që thanë se bëhet fjalë për një aksident fatkeq.

Këto të fundit janë mjaft të zakonshme në Afganistan, ku rrugët janë shpesh në gjendje shumë të rëndë dhe rregullat e qarkullimin janë një term i huaj. Policia lokale tha se aksidenti ndodhi si pasojë e drejtimit të gabuar të mjetit, pa speficikuar se kush ishte fajtori.

Policia theksoi gjithashtu se, pa ndërhyrjen e banorëve të zonës, që nxituan të shpëtojnë të mbijetuarit dhe t’i nxjerrin ata nga autobusët, bilanci makabër do të kishte qenë shumë më i lartë. Megjithatë, burime zyrtare bëjnë me dije se, numri i viktimave mund të rritet sërish, pasi një pjesë e të plagosurve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Top Channel