Vendimi për Facebook-un, Gjykata e Tiranës i kërkon të dhëna për një përdorues

07/05/2016 15:10

Gjykata e Tiranës në një vendim të sajin detyron kompaninë Facebook me qendër në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që t’i dorëzojë policisë gjyqësore të drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit shqiptar të dhënat e regjistrimit si dhe IP nga ku është regjistruar një përdorues, i cili dyshohet se ka abuzuar me publikimin e fotove dhe statuseve në emër të një personi tjetër.

Ky vendim i gjykatës u dha në bazë të kërkesës së prokurorisë së Tiranës, e cila i është referuar kallëzimit të shtetasit Mateo Shaba, administrator i njësisë administrative të Farkës. Sipas materialit kallëzues, një shtetas ende i paidentifikuar dhe që përdor një faqe në Facebook me emrin, Ergi Sina, ka publikuar foto të kallëzuesit dhe statuse që ofronin vende pune në institucionin ku punon kallëzuesi Shaba.

Për shkak të funksionit publik që kryen, kallëzuesi Mateo Shaba i është drejtuar menjëherë prokurorisë, e cila vuri në lëvizje gjykatën për të detyruar kompaninë Facebook t’i vërë në dispozicion të dhënat për faqen ku janë botuar foto dhe statuse të paautorizuara.

Për zbatimin e këtij vendimi, i pari i këtij lloji nga gjykata shqiptare pritet të angazhohet ministria e Drejtësisë, e cila nëpërmjet letërporosive do të kërkojnë zbatimin nga autoritete amerikane.

Top Channel