
Një xhaketë e varur në mur, një palë këpucë dhe një derë e harruar e hapur në nxitim e sipër…
Fshati Sotirë i Gramshit, edhe pse të mrekullon me bukuritë e tij natyrore, është pothuajse i zbrazur. Shtëpitë e vendosura mes gjelbërimit, dhe zhurmës së ëmbël që krijon rrjedha e përroit, duket se nuk i kujton më askush që prej largimit të banorëve.
Braktisja e fshatit Sotirë nisi rreth 20 vite më parë. Nga 130 familje që dikur jetonin këtu, sot numërohen 30, edhe këto me dyshimin për të qëndruar apo për tu larguar përgjithmonë Këtij fshati, natyra i ka falur gjithçka, ujin, pyjet dhe fushat, por i mungon e vetmja gjë që duhet t’ja dhuronte dora e njeriut, vetëm 13 km rrugë të asfaltuar. Mungesa e infrastruktures, që ishte shkaku kryesor i braktisjes së fshatit, vazhdon të jetë ende problemi më i madh i kësaj zone.
“Mungesa e infrastrukturës ka bërë që të largohet gati gjysma e popullsisë. Bëhet fjalë për vitet ’90 dhe mbrapa”, thotë Xhevahir Bora, Administrator i Njësisë Kushovë.
Gramshi është i njohur për fshatra të thellë malore, një pjesë e mirë e të cilëve vuajnë jo vetëm mungesën e infrastrukturës, por edhe të urave mbi përrenj, ç’ka shpesh bëhet shkak për izolimin e tyre. Kjo ka bërë që këto zona të zbrazen, të vetmet familje të mbetura janë ato që s’kanë asnjë mundësi të largohen.
Top Channel