I dërguari i OKB: Në Irak, mbi 50 varre masive me viktimat e ISIS

07/05/2016 09:45

Një i dërguar i OKB-së ka deklaruar se mbi 50 varre masive janë gjetur deri tani në zona të ndryshme të Irakut, të kontrolluara më parë nga Shteti Islamik.

Jan Kubis deklaroi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se ka prova për krime mizore të kryera nga ISIS. Varret janë zbuluar në muajt e fundit kur territori i është rimarrë nga kontrolli organizatës terroriste.

Rastet më të reja janë konstatuar në muajt e fundit në qytetin e Ramadit, ku sipas Kubis mund të ndodhen mbetjet trupore të 40 personave.

Kubis tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë hapa seriozë lidhur sa i takon përgjegjësisë së Shtetit Islamik për këto zbulime.

Disa zona të Ramadit u rimorën nën kontroll nga ushtria irakene në dhjetor 2015, pasi kishte qenë nën kontrollin e militantëve që prej muajit maj të të njëjtit vit.

Disa grupe rezistence vazhduan aktivitetet deri në shkurt 2016, kur qyteti ra tërësisht në duart e trupave qeveritare. Mbetje trupore janë gjetur në varre masive në afërsi të Sinjarit, në veri të Irakut, në provincën perëndimore të Anbarit dhe në qytetin verior të Tikritit.

Mes personave të ekzekutuar ka krerë fisesh, ushtarë irakenë, gra dhe burra nga minoriteti Yazidi. Varre të ngjashme janë zbuluar edhe në disa pjesë të Sirisë, të cilat ISIS i kishte nën kontroll.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA