
Çdo vit në Shqipëri regjistrohen rreth 45 persona të prekur nga kanceri i lëkurës. Afrimi i stinës së nxehtë e rrit rrezikun e prekjes nga kjo sëmundje, veçanërisht te fëmijët dhe moshat e reja, prandaj mjekët dermatologë të spitalit të Durrësit u bëjnë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të kontrollohen.
Diagnostikimi në kohë, sipas mjekëve, është mjaft i rëndësishëm për të shpëtuar jetë.
Faktori kryesor i rrezikut për melanomën është ekspozimi në diell ndaj dhe këshillat e mjekëve dermatologë përqëndrohen në masat mbrojtëse ndaj rrezeve të forta të diellit.
“Mos dilni në diell në oraret e pikut, 10.00-16.00, përdorni kremra mbrojtës, kapele dhe syze dielli me mbrojtje ndaj rrezeve ultravjollcë, përdorni veshje mbrojtëse dhe qëndroni në hije”, thotë Xhiliola Doçi, dermatologe.
Sipas mjekëve, personat me lëkurë të bardhë preken dhjetë herë më shumë se të tjerët nga melanoma, që është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës, ndaj kujdesi duhet të jetë dhe më i lartë te këta persona dhe fëmijët.
Top Channel