Dunga nis “Rilindjen” te Brazili

06/05/2016 00:00

Një Brazil totalisht i rilindur do të jetë ai që do të marrë pjesë në Kupën e Amerikës në futboll, në një edicion special që përkon me 100-vjetorin e zhvillimit të parë të këtij turneu. Gjigantët e futbollit botëror duket se po vazhdojnë rilindjen e ekipit me shumë fytyra të reja në listën zyrtare të aktivitetit, aty ku 5 herë kampionët e planetit janë favoritë.

“Seleçao” shkurtoi plot 17 futbollistë nga lista paraprake, duke konfirmuar 23 emra, 7 nga të cilët do të jenë të vlefshëm nëse gjykohet, edhe për të qenë në Olimpiadën e Rio de Zhaneiros.

Lista e të grumbulluarve të Brazilit është kjo:

Portierë: Alisson, Diego Alves dhe Ederson.
Mbrojtës: Miranda, Marquinhos, Gil, Rodrigo Caio, Dani Alves, Filipe Luis, Fabinho dhe Douglas Santos.
Mesfushorë: Casemiro, Luiz Gustavo, Lucas Lima, Renato Augusto, Elias, Rafinha, Willian dhe Douglas Costa.
Sulmues: Hulk, Ricardo Olivera dhe Gabigol.

“Ne do të shkojmë në Kupën e Amerikës me një skuadër konkurruese në një turne që do të sjellë eksperiencë më shumë te lojtarët para Olimpiadës. Disa që u mendua se do të ishin në listë, i kemi njoftuar më parë dhe preferojmë që në këtë edicion të shikojmë fytyra të reja. Ne gjithmonë i kemi parasysh sugjerimet e tifozëve dhe shtypit dhe për këtë gjithmonë dyert do të jenë të hapura”, tha trajneri i Brazilit, Carlos Dunga.

Seleksioneri i Brazilit këmbënguli se ka një miks të pazakonshëm lojtarësh të rinj, por me eksperiencë, si talenti i Santosit Gabigol, apo futbollisti i Atletico Mineiros, Douglas Santos.
 
Brazili ndodhet në grupin B me Ekuadorin, Haitin dhe Perunë. Skuadra do të mblidhet në Los Anxheles, ku do të zhvillojë dhe miqësore në datat e lira të FIFA-s.

Top Channel