Burg për policin, prokuroria: Alban Trimi fshehu pistoletën e viktimës

06/05/2016 12:35

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për të lënë në burg Alban Trimin, oficerin e policisë së komisariatit numër 5 në Tiranë, i cili ndodhej në të njëjtën tavoline të dielën e kaluar kur u vra në një bar të Tiranës shtetasi Elton Çiça.

Prokuroria kishte ngritur për të tre akuza, atë të “kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “prodhimi dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Në një njoftim për mediat, organi i akuzës bëri të ditur se, natën kur ndodhi vrasja oficeri i policisë fshehu pistoletën dhe telefonin celular që mbante me vete viktima. Ky veprim, sipas prokurorisë, pengoi hetimet e mëtejshme të ngjarjes.

Prokuroria deklaroi pak pasi ishte dhënë masa e arrestit me burg për Alban Trimin se, pasi kishte këqyrur kamerat e sigurisë së lokalit kishte parë veprimet e të akuzuarit dhe kishte nxjerrë urdhërin e ndalimit për të.

Arrestimi i oficerit të policisë u bë dy ditë pasi kërkohej. Ky i fundit nuk u paraqit në shërbim në komisariatin e tij pasi kishte kryer veprimet në lokalin ku u vra Çiça më datë 1 maj.

Nga verifikimet rezultoi se i dyshuari kishte qenë në Tepelenë, në varrimin e viktimës Elton Çiça dhe më pas ishte kthyer në Tiranë, ku dhe u arrestua.

Për këtë ngjarje u ndalua edhe mjeku Redjan Raja, i cili ndodhej gjithashtu në tavolinë me viktimën. Për akuzën e ngritur nga prokuroria për pengim të hetimeve, gjykata vendosi për të masën e “arrestit me burg”. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA