Bashkëpunimi rajonal, Rama: BE nuk na pengon të rrëzojmë barrierat mes nesh

06/05/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën e dytë ndërkombëtare për lejet online të ndërtimit të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe partnerët e saj.

Kryeministri deklaroi se janë zhvilluar 400 mijë ndërtime pa leje dhe se të njëjtat kanë shfuqizuar të gjitha strategjitë dhe planet e zhvillimit.

Rama foli para të ftuarve nga të gjitha vendet e rajonit edhe për bashkëpunimin rajonal. “Të mos presim vetëm kur të hyjmë në BE -tha Rama-, por të fillojmë që tani”.

“Nuk është Bashkimi Europian që na pengon ne të liberalizojmë me shpejtësi marrëdhëniet tregtare, që ne të rrëzojmë me shpejtësi barrierat tarifore, që ne ta rikthejmë rajonin tonë në një zonë sikur të ishte në Bashkimin Europian, pavarësisht se nuk është Bashkimi Europian. Nuk është BE që na pengon të shkojmë përtej vetes dhe që të bëjmë të mundur që prodhuesit e tregtarët e venndeve tona të mos kenë kufij dhe të mos kenë nevojë për aq palë dokumentash, aq palë licenca e vërtetime, sa ç’janë kufijtë që duhen kalojnë. Nuk është shkencë e lartë për të konkluduar që në rast se ne do të ecim me shpejtësi në këtë drejtim, do të jemi më të pasur. Njerëzit tanë do të përfitojnë më shumë, vendet tona do të përfitojnë më shumë dhe ekonomia jonë do të rritet më shumë”, deklaroi Rama.

Top Channel