Tahiri: Reforma forcon sigurinë. Vendi s’ka nevojë për armë

05/05/2016 12:15

Për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, që Shqipëria të bëhet një vend edhe më i sigurtë, reforma në drejtësi duhet të kalojë një orë e më parë.

Pas homazheve në mjediset e Akademisë së Sigurisë në nderim të 215 efektivëve të rënë dëshmorë në krye të detyrës, Tahiri u shpreh:

“Më e rëndësishme se gjithçka tjetër është reforma në drejtësi. Do të bëjmë shumë më shumë për të garantuar siguri dhe për të bërë gjithçka është e mundur që qytetarët shqiptarë të jetojnë në një vend shumë më të sigurtë e shumë më të drejtë”, tha Tahiri.

Ndërkohë, në lidhje me arrestimin e Arben Frrokut në Holandë, Tahiri theksoi se Policia e Shtetit ka zbatuar ligjin duke hedhur poshtë akuzat se janë vonuar procedurat për dërgimin e të dhënave që identifikuan vrasësin e kryekomisar Dritan Lamaj.

“Unë kam kërkuar personalisht një vlerësim të të gjitha veprimeve të policisë nga partnerët ndërkombëtarë që ditën që është marr vesh lajmi. Partnerët ndërkombëtarë dhe misioni i ekspertizës në Shqipëri ka hetuar në mënyrë të pavarur, dje është bërë raporti dhe i është dorëzuar të gjithë partnerëve. Policia e shtetit ka bërë gjithçka konform ligjit”, deklaroi Tahiri.

Në mjediset e Akademisë së Sigurisë ishin të pranishëm edhe familjarë të efektivëve të rënë në krye të detyrës, madje disa prej tyre i janë bashkuar radhëve të policisë.

Top Channel