Ruzhiç mbështet Kosovën, por “kryqëzohet” në Serbi

05/05/2016 00:00

Pasi e gjithë Serbia protestoi fuqishëm për njohjen zyrtare të Kosovës dhe anëtarësimin e plotë në UEFA dhe pas votës pro nga Mali i Zi që u cilësua thikë pas shpine, tashmë një tjetër personazh me influencë në Beograd, ofron mbështetje surprizë.

Branko Ruzhiç, zëvendëspresidenti i Partisë Socialiste serbe dhe drejtues i lartë te skuadra e Partizanit të Beogradit, u shpreh entuziast për njohjen e Kosovës.

Ruzhiç është nënkryetar në Partinë Socialiste në Serbi dhe njeriu i dytë i Partizanit të Beogradit, aty ku Fadil Vokrri kujtohet si legjendë. Ai ka mirëpritur vendimin historik nga UEFA, madje duke postuar fotografi me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ruzhiç, një personazh nga gjenerata e re e politikës serbe, ka shkruar se është sportive dhe njerëzore një vendim i tillë, teksa ka thënë se politika duhet të lihet jashtë futbollit.

“Parandalojini teoritë konspirative! Sportistët dhe njerëzit le të luajnë futboll, refuzoj politikën! Fadili gjithmonë ka qenë njeri!”, shkroi Ruzhic.

Ajo çfarë pasoi ishte një mori komentesh fyese në adresën personale të politikanit realist, ndërsa e përditshmja serbe, “Kurir”, e ka ‘kryqëzuar’ Ruzhiçin për këtë postim, pas kritikave të ashpra që i dha më parë kreut të Federatës së Malit të Zi, Dejan Saviceviç.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel