Sezoni turistik, kreu i OSHEE inspekton investimet në jug

04/05/2016 22:05

Tashmë sezoni turistik në jug të vendit nuk do të shoqërohet më me ndërprerje të energjisë elektrike apo probleme në rrjetin e shpërndarjes.

Kreu i OSHEE-së, Ardian Çela dhe kreu i OST-së Ëngjëll Zeqo kanë inspektuar sot punimet në të tre frontet e ndërtimit të nënstacionit prej 110 KW në Himarë. Sipas Çelës, investimet në sektorin e energjitikës në jug të vendit kapin shifrën e 13 milionë dollarëve.

Në Himarë po punohet në ndërtimin e dy nënstacioneve, ai lëvizes me kapacitet 110/35/10 KW dhe ai në Dhërmi me kapacitet 35/20/10 KW. Në proces është edhe linja 35 KW për furnizimin e nënstacionit të Dhërmiut.

“Investimet në këtë sektor do të zgjidhin përfundimisht jo vetëm problematikën në fshatrat e bregdetit, por edhe për Vlorën dhe Orikumin”, deklaroi drejtori Zeqo.

Aktualisht janë miratuar 1 milion dollar investime të tjera për zonën e Vlorës, në qytet dhe rrethina. Konkretisht në: Fidrin e nënstacionit Gorisht deri në lagjen Dautaj, në fshatin Llakatund e më tej në Selenicë, Nartë, Babicë e Zvërnec.

Top Channel