Në mbështetje të reformës, bashkohen dhjetëra organizata civile

04/05/2016 00:00

Dhjetëra përfaqësues të grupeve të shoqërise civile, rretheve akademike, sektorit privat dhe grupeve të tjera joshtetërore të interesit i janë bashkuar një nisme të Fondacionit Soros në Shqipëri për reformën në drejtësi, për të stimuluar miratimin e saj brenda muajit qershor.

Nëpërmjet një deklarate ata i bëjnë thirrje të gjitha partive politike në vend që të përmbushin përgjegjësinë institucionale dhe morale para qytetarëve për miratimin sa më të shpejtë të reformës.

“Reforma në drejtësi lidhet thelbësisht me proceset e brendshme demokratike dhe zhvillimore të vendit dhe zvarritja e mëtejshme ose dështimi i klasës politike në miratimin e saj do të ketë pasoja të rënda jo vetëm për procesin e integrimit europian të vendit, por do të shkatërrojë besimin qytetar tek ndryshimi i vendit”, thuhet në deklaratë.

Deklarata mbyllet me ftesën ndaj grupeve të tjera të ngjashme për t’iu bashkuar nismës civile pro reformës në drejtësi.

Top Channel