Kritika të ashpra rusit Kvyat për aksidentet me Vettelin

04/05/2016 14:20

Incidentet mes Sebastian Vettel dhe Daniel Kvyat në fillim të Çmimit të Madh të Rusisë vazhdojnë të jenë temë diskutimi në ambientet e Formulës 1. Ai që flet për atë çfarë ndodhi në xhiron e parë të kësaj gare ishte Niki Lauda, i cili nuk i kurseu aspak kritikat e ashpra kundrejt pilotit rus të Red Bullit.

“Po të isha Vettel, do ta kisha vrarë Kviyatin. Ishte diçka e tmerrshme. Ai nuk mund të bëjë një budallallëk të tillë në drejtimin e makinës.Vettel bëri gjithçka mirë, Kvyat e goditi atë nga pas”, tha Lauda për Sky Sports.

Fjalët e Laudës erdhën si një mbështetje për shefin e Ferrarit, Maurizio Arrivabene, i cili deklaroi se ajo çfarë ndodhi mes Vettelit dhe Kvyatit ishte e papranueshme.

“Kvyat e goditi Vettelin 2 herë. Mund ta pranosh një gjë të tillë herën e parë, por jo herën e dytë. Ai u penalizua, por ajo çfarë ndodhi mbetet e papranueshme”, tha Arrivabene.

Top Channel