Idrizi: Kosova në UEFA, lajm i mirë. Por duhet të jemi një kombëtare

04/05/2016 10:30

Për kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi pranimi i Kosovës në UEFA është lajm i mirë, por duhet të kemi një kombëtare. Ai është takuar me elektoratin e partisë së tij në qytetin e Fierit.

“Morëm një sihariq shumë të mirë për anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Padyshim që ky është një lajm shumë i mirë, sepse edhe njëherë tjetër, nëpërmjet kësaj njohje, Kosova është dhe do të bëhet një shtet i pavarur, tashmë i njohur nga gjithë organizmat ndërkombëtare. Por unë besoj e mendoj se ne duhet të jemi dy shtete me një kombëtare dhe një komb siç jemi”,  u shpreh z. Idrizi.

E pranishme në takim ishte dhe deputetja Mesila Doda, e cila tha se deputetët e PDIU-së kanë sjellë një sërë nishmash në Parlament, duke u bërë e djathta moderne, që nuk ka asnjë paragjykim para vetes.
 
“Sot ne themi kemi sjellë në Parlamentin e Shqipërisë, ligjin për hapjen e dosjeve, ligjin për ndarjen nga e kaluara dhe dënimin e krimeve nga e kaluara, kemi sjellë ligjin për dekomunistizimin, ligjin për lustracionin, kemi sjellë ligjin për heqjen e dekoratave. Këto bëjnë deputetët e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Kjo është e djathta moderne, kjo është e djathta e cila nuk ka asnjë paragjykim përpara vetes, kjo është mënyra e re për të bërë politikë dhe ne nuk do të jemi në asnjë mënyrë, as të frustruar, as të kompleksuar nga ato që kërkojmë”, theksoi znj. Doda.

Top Channel