Mediat serbe: Skandal; ato zvicerane: Po tani?!

03/05/2016 00:00

Mediat serbe janë të vetmet që nuk e kanë përtypur anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Pasi kanë përshëndetur fjalën e presidentit të Federatës Serbe Karaxhiç, mediat e kanë cilësuar si turp shfaqjen e dhënë në Kongresin e Budapestit.

Sipas tyre, UEFA del kundër vetes së saj duke shkelur statutin e duke pranuar një shtet që nuk është i anëtarësuar në OKB.

Ndryshe është situata në mediat zvicerane, të cilat pasi e kanë vlerësuar të pashmangshme pranimin e Kosovës në UEFA, kanë filluar të bëjnë llogaritë mbi mundësitë e largimit drejt përfaqësuese kosovare të lojtarëve me orgjinë shqiptare. 

Po tani, Shaqiri dhe Xhaka a mund ta ndryshojnë kombëtaren? Kjo është pyetja me të cilën ka nisur artikullin e përditshmja helvetike Blick. Pavarësisht se asnjë lojtar shqiptar i Zvicrës nuk është prononcuar për këtë fakt, gazetarët zviceran pohojnë se ata do të kenë mundësinë të përfaqësojnë Kosovën duke filluar që në eliminatoret e botërorit 2018.

Ndërkohë, pasi kanë publikuar lajmin, mediat kroate kanë filluar të hamendësojnë për grupin në të cilin mund të garojë Kosova për Rusi 2018. Sipas tyre, nëse Kosova pranohet edhe nga FIFA, atëherë një mundësi e madhe është që shteti më i ri në Europë të jetë kundërshtari i tyre në eliminatoret e ardhshme.

Top Channel