Duka, i qetë: Kombëtare mbarëshqiptare, diskutim mes shqiptarëve

03/05/2016 00:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, një nga përkrahësit më të mëdhenj të Federatës Kosovare në betejën e saj për t’u pranuar në UEFA, pohoi se gjatë votimit Zvicra mendoi më shumë për vete sesa për qëllimin që ka ky organizëm ne vetvete.

“Zvicra nuk ishte në favor të pranimit të Kosovës. Ne nuk duhet të mendojmë për një numër të kufizuar futbollistësh apo për një ndeshje, duhet të mendojmë kush është më e mira për ta ardhmen e futbollit”, shprehet Duka.

Përves Zvicrës, i prekur direkt nga vendimi i fundit i UEFA-s është edhe kombëtarja shqiptare, boshti i të cilës është i përbërë nga futbollistë shqiptarë nga Kosova. Por, ndryshe nga helvetikët të cilët i frikësohen eksodit të lojtarëve nga Kosova, për presidentin Duka kjo gjë është diçka që do një diskutim më të gjerë.

“Nuk është se kam menduar ndonjëherë për ndonjë futbollist se ku do të luajë. Për të ardhmen e kombëtares shqiptare, të Kosovës, apo për të ardhmen e kombëtares së madhe është diçka që do ta diskutojmë mes shqiptarësh”, përfundon Duka.

Top Channel