Pjesë të errëta, apo jo mirë të plotësuara të historisë së Shqipërisë, fshihen padyshim në arkivat e vendeve të ndryshme europiane. Ndaj, Arkiva e shtetit shqiptar, pas një marrëveshjeje me atë turke, do të përpiqet të hedhë dritë mbi disa prej tyre. Por, cila është përmbajtja e këtyre 57 regjistrave, që do t’i shtohen fondit të Arkivës dhe çfarë do të mund të sjellin të re në historinë e shtetit shqiptar?
Në këto regjistra janë të përfshira mëse 2.300 dokumente, që u përkasin trevave shqiptare e që nisin nga shekulli i XV. Ato përmbajnë informacione të detajuara mbi vendbanimet, pronat, taksat, kryefamiljarët etj., duke dhënë në këtë mënyrë një panoramë të qartë për zonat e regjistruara.
“Është një fond dokumentar shumë i rëndësishëm, sepse ka detaje. Shumë më i rëndësishëm sesa dokumentet që kanë të bëjnë me kronika të sjella nga kronikanët në dokumentet e tyre. Ka informacione shumë më të sakta për vet karakterin e asaj çfarë është evidentuar në terren”, thotë Gjet Ndoj, drejtor i Arkivës në Shqipëri.
Aktualisht në arkivat e Turqisë gjenden më shumë se 90 milionë dokumente të periudhës së Perandorisë Osmane. Çfarë do të thotë se procesi i identifikimit, seleksionimit, përkthimit e më pas shpërndarjes në vendet që ato përfshijnë, nuk është i lehtë. E megjithatë, mes këtij numri të jashtëzakonshëm dokumentesh, tahriret – siç quhen në Turqi regjistrat, – janë dokumentet më të sakta dhe të plota për nga të dhënat që ofrojnë.
“Regjistrat që pamë sot janë dokumentacioni më i rëndësishëm që mund të ekzistojë sot për sot në Shqipëri dhe në Turqi, në lidhje edhe me periudhën e Perandorisë Osmane”, thotë Ugur Unal, drejtor i Përgjitshëm i Arkivës në Turqi.
Secili regjistër përmban një numër të ndryshëm dokumentesh, që janë të ndarë në dy lloje. Janë ato që përfshijnë të dhëna të përmbledhura për studiuesit, që kërkojnë pjesët e përgjithshme pa hyrë në elementë të veçantë, ndërsa pjesa tjetër janë ato që detajojnë dhe sjellin të dhëna më të shumta.
“Një regjistër, më i vogli prej tyre përfshin 60 deri në 600 faqe. Regjistri më i madh përfshin mbi 650 dokumente. Ndërsa më të zakonshmet janë me 300-500 dokumente”, thotë më tej Gjet Ndoj.
“Ajo që është e rëndësishme, është fakti që këto regjistra të bëhen të lexueshëm dhe të prekshëm për studiuesit dhe publikun shqiptar”, thotë Ugur Unal.
Por përtej anës protokollare, çfarë fshihet pas këtyre “defter”-ëve dhe cila është vlera e vërtetë e tyre? Regjistrimi i parë osman është bërë në vitet 1431-1432 dhe jep të dhëna për të ashtuquajturin Sanxhakun Arvanit, apo thënë ndryshe Sanxhakun shqiptar me kryeqendër Gjirokastrën. Këto dokumente janë plotësuar fill pas kryengritjeve të mëdha të Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut. Osmanët, si rregull administrativ nuk e quanin zyrtarisht të pushtuar një vend, pa bërë regjistrimin e popullsisë dhe taksave. Pra, plotësimi i tyre konsiderohej përmbyllja e pushtimit.
“Nëpërmjet studimit të këtyre ‘defter’-ëve, ne marrim të dhëna të çmuara për historinë politike, historinë administrative, historinë demografike të viseve shqiptare. Marrim të dhëna të çmuara për historinë ekonomike dhe sociale të Shqipërisë, të rajoneve të caktuara të saj. Marrim të dhëna të çmuara për onomastikën, që është një gjë jashtëzakonisht e lakmuar sot si disiplinë, si për studiuesit e linguistikës, por edhe për studiuesit e historisë. Marrim të dhëna të çmuara antropologjike, sociologjike, kështu që nga kjo pikëpamje, këto ‘defter’-e kanë një vlerë shumëpërmasore, janë shumë të vlefshme për nga rëndësia”, thotë Ferid Duka, historian.
I gjithë sistemi osman i kohës funksiononte në bazë të këtij regjistrimi, pasi të ardhurat që vileshin përmes tyre mbanin në këmbë perandorinë dhe përballonin pjesën përkatëse të shpenzimeve të saj. Kjo siguron edhe saktësinë maksimale të këtyre të dhënave.
“Ju e dini që këtu nuk lë shumë rast për spekulime me të vërtetën historike, sepse në njëfarë mënyre, ‘defter’-in mund ta konsiderojmë si matematikë, që nuk të lë të lëvizësh shumë apo të spekulosh me konkluzionet e tua”, thotë më tej Ferid Duka.
Regjistrat ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme dhe të pakundërshtueshme për vet saktësinë që kanë, për të kuptuar në detaje përbërjen etnike të zonave të shumta, që sot janë jashtë kufirit zyrtar shqiptar. Mjafton të përmendësh faktin se, këto të dhëna përfshijnë territorin e të 4 vilajeteve shqiptare: atë të Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.
“Nëqoftëse ne kemi emra karakteristikë shqiptarë si Gjin, Gjon, Progon, etj., padyshim që në një vendbanim – të paktën për atë kohë që unë studioj – nuk mund t’i themi tjetër veçse që është popullsi shqiptare”, thotë historiani Ferid Duka.
Regjistrime, osmanët kanë bërë gjithkund ku kishin territore të pushtuara. E janë pikërisht të dhëna të tilla, që tregojnë numrin e madh të shqiptarëve edhe në zona të tjera, veç atyre të 4 vilajeteve. Mjafton për shembull të analizosh shifrat e një regjistrimi të kryer në Peloponez të Greqisë në shekullin e XV, ku rezulton se nga 198 fshatra, 155 konsiderohen si të banuara nga shqiptarë. E po kështu Korinthi, Atika, Beotia, Selaniku etj. Pra, jo vetëm “defter”-ët që përfshijnë Shqipërinë e dikurshme të 4 vilajeteve, por edhe ata që janë plotësuar në vendet fqinj japin një panoramë të qartë e plotësuese të lëvizjeve të ndryshme të kryera gjatë shekujve.
Veç dokumentacionit që përshijnë këta 57 regjistra, Arkiva ka siguruar edhe të dhëna të tjera për figurën e Ismail Qemalit, apo atë më pak të njohur të Bib Dodës. Dokumente të shumta për historinë e Shqipërisë fshihen në arkivat e vendeve europiane. E sigurisht ndër më të rëndësishmet janë edhe ato të Venedikut, Dubrovnikut e kështu me radhë. Të gjitha presin të zbulohen, të tregojnë hapur edhe atë që deri më sot është mbuluar.
Historia shqiptare ka ende shumë për të thënë. Ky dokumentacion i ri hap një portë të parë, që do të duhej të pasohej me shumë të tjera, për t’i dhënë në këtë mënyrë zë dhe të vërteta edhe më të mëdha historisë sonë.
Top Channel