
Brenda këtij viti studentët do të pajisen me kartën që do t’u krijojë atyre lehtësi për shërbimet që marrin nga qyteti i Tiranës, përfshirë dhe transportin publik.
Kjo kartë do të jetë nënprodukt i sistemit elektronik të biletimit, u shpreh Veliaj në takimin e radhës me Bordin Rinor të qytetit.
“Karta që do të kenë brenda këtij viti të gjithë të rinjtë e qytetit të Tiranës, do të jetë mjet identifikimi, abone me chip elektronik, sepse shoh që kriza më e madhe tek studentët është mënyra sesi firojnë abonetë e studentëve dhe sesi matrapazët e autobusëve i çojnë abonetë e studentit, të subvencionuara, në drejtim të paditur. Karta do të ndahet në kartë për pensionistë dhe kartë për studentë”, tha Veliaj.
Tanimë qytetarët e Tiranës që përdorin një telefon inteligjent me sistem operimi Android apo iOS, nëpërmjet aplikacionit “Tirana Ime” do të mund të bëjnë pagesa apo të shikojne zonat ku ka trafik të rënduar .
“Kemi patur një sukses fantastik me aplikacionin dhe ju jeni të parët që e zbuloni që nga sot është gati edhe për iPhone”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës këtë vit ka tejkaluar planin mbledhjes së taksave ndaj të gjitha këto do të kthehen në investime për qytetin, theksoi Veliaj.
Top Channel