Biznesmeni australian Craig Wright është vetidentifikuar publikisht si krijuesi i monedhës elektronike Bitcoin, që deri më sot njihej me pseudonimin Satoshi Nakamoto.
Pohimi i tij i jep fund spekulimeve disavjeçare se cili ishte personi që kishte ideuar sistemin e qarkullimit të parasë dixhitale. Zoti Wright ka prezantuar prova teknike për të përforcuar vetëdeklarimin e tij, duke përdorur monedha që dihej se mund t’i përkisnin krijuesit të Bitcoin.
Anëtarë të rëndësishëm të komunitetit të Bitcoin dhe ekipi i tij i bashkëpunëtorëve kanë konfirmuar gjithashtu deklaratën e zotit Wright.
Biznesmeni australian ua ka publikuar identitetin e tij tre organizatave mediatike, BBC, The Economist dhe GQ. Në takimin me BBC, ai firmosi mesazhe dixhitale duke përdorur fjalëkalime të kriptuara, të krijuara gjatë ditëve të para të ekzistencës së Bitcoin.
Fjalëkalimet janë të lidhura në mënyrë të koklavitur me stoqe monedhash elektronike, që dihet që janë krijuar nga Satoshi Nakamoto.
“Këto janë blloqet e përdorura për t’i dërguar 10 monedha elektronike Hal Finneyt në janar 2009, që është dhe transaksioni i parë i Bitcoin”, deklaroi Wright gjatë demonstrimit.
Hal Finney, një kriptograf i njohur, ishte një nga inxhinierët që ndihmuan në kthimin e ideve të zotit Wright në protokollin e Bitcoin. “Ideja ishte e imja, por shumë njerëz më ndihmuan”, tha ai.
Ndërkohë, një shtetas japonez me emrin Satoshi Nakamoto, është identifikuar disa herë gabimisht si krijuesi i Bitcoin.
Top Channel