Trajtimi i tumoreve në QSUT, instalohet pajisja më moderne e kohës

01/05/2016 00:00

Pacientët me patologji tumorale, të cilët duhet t’i nënshtrohen rrezatimit, do ta bëjnë atë tani nëpërmjet akseleratorit linear. Kjo pajisje, e cila sapo ka nisur të funksionojë në QSUT, i përket teknologjisë më të fundit, madje e një stadi edhe më të avancuar sesa ato në spitalet private, ku pacientëve u duhet të paguajnë shuma marramendëse.

“Meqë jemi me siguracion nuk paguajmë absolutisht asnjë gjë, por duhet ndjekur rregulli për të marrë vërtetimin nga mjeku i lagjes, e më pas kur vjen këtu nuk bën asnjë pagesë. Ky shërbim ofrohet edhe te spitalet private, por kostoja atje është shumë e lartë. Një e njohura ime, për një vit seanca të kryera te privati, ka arritur deri në 12 mijë euro shpenzime”, tha një paciente.

Një tjetër paciente ka qenë duke iu nënshtruar rrezeve me këtë pajisje, për të cilën mjekët thonë se ka përfitime jo vetëm për pacientin, por edhe për vet ata.

“Përfitimet e pacientit për trajtimin me akseleratorin linear janë më të mëdha, krahasuar me aparaturat që kemi përdorur deri dje, ato të kobaltit. Tashmë rriten pritshmëritë në trajtimin e pacientëve, si përsa i përket trajtimit, ashtu edhe për efektet anësore duke mundësuar një mbrojtje më të mirë të organeve në rrezik. Ofrohet në këtë mënyrë një trajtim më i mirë ndaj pacientit. Ndërsa neve na ndihmon jashtëzakonisht shumë për t’iu afruar rezultateve, që kanë qendrat më bashkëkohore ekzistuese sot në botë”, tha Erald Karaulli, mjek radioterapeut.

Rreth 70% e pacientëve me patologji tumorale kanë nevojë për rrezatim, ndërkohë që në Shërbimin Onkologjik përllogariten rreth 500 pacientë në vit, të cilët i nënshtrohet rrezatimit sipas stadit të tumorit.

Top Channel