Lazio shuan ëndrrën e Interit për Champions

01/05/2016 00:00

Ndeshja e mbrëmjes së të dielës në Serie A ishte ajo mes Lazios dhe Interit, ku vendasit e drejtuar nga Simone Inzaghi triumfuan me rezultatin 2-0.

Takimi nisi në mënyrë të shkëlqyer për vendasit, të cilët gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 8 me veteranin gjerman, Miroslav Klose. Lulic dha një asist perfekt për Klosen, i cili i gjendur përballë portierit Handanovic, nuk e pati të vështirë ta dërgoi topin në rrjetë.

Më pas u zhvillua një ndeshje e barabartë. Por, në minutat e fundit, Interi e kërkoi më shumë golin. Megjithatë, në një dalje në sulm Lazio fitoi një 11-metërsh, 7 minuta para fundit të takimit. Murillo u ndëshkua me karton të kuq, pasi mori të verdhën e dytë. Candreva mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, duke u treguar mjaft i saktë. Rezultati shkoi në 2-0 dhe tashmë nuk kishte më kohë për reagim. Tre pikët shkojnë për Lazion, ndërsa Interi tashmë edhe matematikisht është jashtë zonës Champions kur kanë mbetur vetëm dy ndeshje.

Top Channel