“Djajtë” i shtyjnë festën Ranierit, Leicester më sytë nga… Chelsea

01/05/2016 00:00

Festa e titullit duhet të presë, pasi Leicester nuk arriti më shumë se një barazim 1-1 në “Teatrin e Ëndrrave” ndaj Manchester United. Një rezultat i drejtë për atë çfarë u pa në fushën e lojës.

Formacioni i Ranierit duhet të marrë edhe dy pikë nga dy ndeshje të tjera për t’u shpallur kampion, por shampanja mund të hapet që të hënën në mbrëmje, në rast se Chelsea arrin të mposht Tottenham në “Stamford Bridge”.

“Dhelprat” që luajtën pa sulmuesin kryesor Jamie Vardy, e panë veten në disavantazh që në minutën e 8, kur Anthony Martial shfrytëzoi një top që erdhi nga krahu për të mposhtu poriterin Schmeichel.

Mirëpo, barazimi vjen vetëm 10 minuta më vonë, kur pas një goditje dënimi, Drinkwater gjen kokën e kapitenit Wes Morgan me këtë të fundit që shënon për 1-1.

Deri në fund të takimit shifrat nuk ndryshuan, edhe pse Riyiad Mahrez e Wayne Rooney lëshuan nga një mundësi të artë për të shënuar. Në të 87-n, Drinkwater u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke i lënë të tijtë me 10 lojtarë.

Ndërkohë, Swansea fitoi në shtëpi 3-1 përballë Liverpool “B”. Klopp, me mendje te gjysmëfinalja e kthimit ndaj Villareal, hodhi në fushë formacionin e dytë, të cilët nuk arritën të bënin asgjë ndaj uellsianëve.

“Dopieta” e Ayew dhe një gol i Cork gjunjëzuan “të kuqtë” të cilëve nuk iu mjaftoi goli i sulmuesit belg Benteke.

Top Channel