Superiorja, “paqe” mes Teutës dhe Tiranës, Kukësi merr 3 pikë në transfertë

29/04/2016 00:00

Java e 32 e Kategorisë Superiore ka ngritur siparin me dy sfidat e kësaj të premteje që vendosnin shumë në luftën për kupat europiane, por përballet e zhvilluara sërish lanë paqartësi në renditje, ndërsa kampionati po i afrohet fundit.

Kukësi i dhuroi tifozëve një surprizë të bukur me suksesin 0-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit. Një 90 minutësh i balancuar në lojë por që premioi verilindorët në një fushë të vështirë.

Goli i vetëm i sfidës në stadiumin bregdetar u regjistrua nga Dvornekoviç. Për t’u shënuar mungesa e trajnerit Klodian Duro në pankinë, zyrtarisht për arsye familjare por që të lënë të dyshosh për konflikte me drejtuesit.

Ndërkohë në stadiumin “Niko Dovana” Teuta dhe Tirana ndan nga një pikë që i bën të humbasin terren me Kukësin në garën për biletën e fundit në trenin drejt Europës.

Si durrsakët, ashtu edhe formacioni kryeqytetas i trajnerit Ilir Daja patën shanset e tyre për të prishur ekuilibrat, por asgjë nuk ndryshoi deri në barazimin final 0-0.

Tashmë në renditje Kukësi konsolidon vendin e tretë me 55 pikë, dy më shumë sesa Teuta.

Këtë të shtunë tabloja e Superiores kompletohet me tre sfida të tjera: Laçi-Vllaznia në orën 16:00 si dhe Partizani-Tërbuni e Skënderbeu-Bylis të dyja që nisin në orën 19:00.

Top Channel