“Drejtuesit e rinj të universiteteve do të shikohen nga qeveria si partnerë”. Ky ishte mesazhi që përcolli kryeministri Edi Rama gjatë një takimi përshëndetës me dekanët dhe rektorët nga ku dënoi edhe njëhërë presionet krimale që u shënuan në Tiranë.
Rama fjalën e tij e mbajti ndërsa përballë kishte rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Pamjet e servirura nga Kryeministria tregojnë daljen e tij publike së bashku me dekanin Dhori Kule, të dy të kërcënuar nga Emiljano Shullazi.
“Më lejoni që duke përmendur incidentin famëkeq t’i shpreh respekt, qoftë rektorit të sapo zgjedhur, qoftë dekanit. Të dyve që nuk u tërhoqën përballë një presioni kriminal tërësisht të papranueshëm, jo për botën universitare, por për jetën shoqërore në tërësi, e dhanë një mesazh shumë kuptimplotë me vendosmërinë e tyre për të vazhduar qetësisht një garë”, tha Rama.
Preferencat politike e të zgjedhurve, deklaroi kryeministri, nuk do të shihen si barrierë për të arritur interesat e përbashkëta për arsimin.
“Ju keni të gjithë respektin dhe gjithë mbështetjen tonë të pakufizuar për gjithçka që ju do të konsideroni që qeveria duhet t’u dëgjojë e duhet të bashkëbisedojë me ju. Për detyrat tona ndaj universitetit të jeni të sigurt që siç treguam se i dimë shumë mirë kur bëmë zgjedhjet i dimë shumë mirë edhe më tej”, u shpreh ai.
Nga kremtimi 90-vjetorit të hapjes së gjimnazit “Qemal Stafa” kryeministri paralajmëroi nisjen e një tjetër reforme, atë në arsimin e mesëm. “Shpejt do të ndërmerren reforma të rëndësishme në gjithë sistemin e shkollave të mesme për ta bërë shkollën jo vetëm si bazë për të ndërtuar themelet e dijes, por edhe për të përgatitur qytetarë të denjë”, tha ai.
Top Channel