Mbetjet urbane po helmojnë Durrësin

27/04/2016 00:00

Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Porto Romano të Durrësit është kthyer në një bombë ekologjike. Nga djegja në natyrë e tyre, përfshirë goma dhe plastikë, emëtohen gazra toksike mjaft të dëmshëm, ndërsa institucionet publike vijojnë të jenë të pafuqishme për të ndryshuar këtë realitet.

Sipas kryeinspektorit te Mjedisit Jurgen Dashi, ankesat e shumta të qytetarëve marrin zgjidhje vetëm me ndërtimin e landfillit te ri.

Buxhetet e bashkive Durrës, Shijak dhe Krujë nuk mund të përballojnë projektet për landfillet. Kompania italiane që fitoi tenderin e Ministrisë së Mjedisit për ndërtimin e landfillit në Manzë, nuk ka gjetur as mbështetjen e Bashkisë së Durrësit, për të shlyer detyrimet për çdo ton mbetjesh.

Bashkia e Durrësit shpenzon rreth 50 mijë euro në vit për mbetjet, ndërsa me futjen në punë të landfillit të Manzës depozitimi dhe përpunimi i mbetjeve llogaritet që kërkon një fond prej 2 milionë eurosh në vit.

Top Channel