Tragjedia e Hillsborough, faji ishte i policisë, jo i tifozëve

26/04/2016 00:00

Tragjedia e Hillsborough në vitin 1989 ndodhi për faj të policisë dhe jo të tifozëve. Ky ishte vendimi i marrë nga juria në gjykatën britanike duke i dhënë fund një hetimi që zgjaste prej 27 vitesh.

Sipas këtij vendimi ishin gabimet dhe neglizhenca e policisë e komandatit David Duckenfield dhe jo veprimet e tifozëve të Liverpoolit, ato që çuan në krijimin e kësaj situate të tmerrshme që shkaktoi 96 viktima ndërkohë që mbetën të plagosur edhe 766 të tjerë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pikërisht në sfidën gjysmëfinale të FA Cup mes Liverpool dhe Nottingham Forest. Forcat e sigurisë ishin të përqendruara për të ruajtur rendin publik, por shefi i policisë së asaj kohe, David Duckenfield, nuk kishte eksperiencë në situata të tilla.

Shumë shpejt policia humbi kontrollin dhe turma kërkoi të hyjë në fushë. Duckenfield vendosi të hapë një nga kangjellat e stadiumit, një zgjedhje kjo që rezultoi shumë e gabuar. Shumë tifozë hynë në fushën e lojës ku kishte edhe njerëz të tjerë për të shkaktuar edhe tragjedinë e madhe me 96 personat që humbën jetën  të shtypur dhe të asfiksuar.

Policia nuk reagoi, ndërkohë që jashtë stadiumit ishin dhjetëra ambulanca, por vetëm njëra hyri në stadium. Policia britanike nuk ngurroi të fshehë çfarë ndodhi realisht në Hillsborough duke ia vënë fajin tifozëve e duke shfrytëzuar reputacionin negativ të një pjese të tifozërisë së Liverpoolit.

Por pas 27 vitesh, e gjithë ngjarja doli në dritë dhe vendimi i jurisë zbuloi versionin e gënjeshtërt të policisë për këtë ngjarje të rëndë ku humbën jetën persona nga 7 deri në 67 vjeç.

Vendimi i jurisë për fajësinë e plotë të policisë për tragjedinë e Hillsborough u prit me entuziazëm nga familjarët e viktimave të cilët panë vendosjen e drejtësisë më në fund.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel