
Kompania “Mitsubishi Motors” pranoi se ka falsifikuar disa prej testeve të konsumimit të karburantit në makinat e saj që prej vitit 1991. Zbulimi i radhës pason atë të javës së shkuar se kompania kishte manipuluar të dhënat për konsumin e më shumë se 600 mijë makinave që ishin shitur në Japoni.
Gjatë një konference për shtyp, zëvendëspresidenti i Mitsubishit, Riugo Nakao, tha se për tregun e brendshëm, kjo kompani e kishte përdor këtë metodë që prej vitit të 1991.
Nuk dihet me siguri sa makina janë prekur nga ky manipulim, por sipas presidentit të kompanisë, Tesuro Aikaua, hetimi po vazhdon për të zbuluar të vërtetën.
Aksionet e Mitsubishit ranë me 10% gjatë të martës në bursën e Tokios, duke e çuar në 50% humbjen që prej shpërthimit të skandalit. Mediat japoneze shkruajnë se modelet e prekura nga manipulimi i të dhënave në vitet e fundit përfshijnë ato me motorë shumë të vegjël, vetëm 600 centimetra kub.
Këto makina preferohen pasi pronarët e tyre paguajnë taksa shumë të ulëta meqë nuk ndotin ambientin. Por tani që zbulohet se edhe testet e konsumit të tyre janë manipuluar, pritet që Mitsubishi të gjobitet rëndë nga qeveria, pasi ka shkelur ligjet e efiçensës së karburantit fare hapur.
Prodhimi dhe shitja e modeleve të dyshuara është ndaluar.
Top Channel