Procesi 21 Janari ishte një histori gjyqësore e destinuar drejt mbylljes. Vendimet erdhën duke u zbutur nga njëra shkallë e gjyqësorit tek tjetra e për t’u mbyllur me dënime të lehta.
Sinjali i parë i sistemit të drejtësisë u dha menjëherë pas vrasjes së 4 demostruesve, kur ndodhi edhe përplasja mes Prokurorisë dhe Policisë. Kjo e fundit refuzoi të ekzekutonte urdhër-ndalimet për të ashtuquajturin “grupi i zjarrit”. E ndërsa kjo u dyshua si një manovër për të ndërhyrë në dokumentacionin e Gardës, më pas Prokuroria e përforcoi qëndrimin e saj kur edhe akuzoi shoferin e ish-komandantit të Gardës se kishte tentuar të dëmtonte pistoletën e përdorur nga Gjenerali Ndrea Prendi gjatë 21 Janarit.
Prokuroria i qëndroi në gjykatë faktit se “armët e zjarrit me fishekë luftarakë u përdorën fillimisht nga Ndrea Prendi, çfarë shërbeu si sinjal për përdorimin e armëve të zjarrit edhe nga efektivët e tjerë”.
Por përgjatë betejës gjyqësore të këtyre pesë viteve për vrasjen nga Garda të demostruesve edhe ky argument u rrëzua. Për gjykatën, ish-komandanti i Gardës ndodhej në vendngjarje për shkak të detyrës, ndërsa akuzën e Prokurorisë se Gjenerali kishte përdorur armë, gjykata e konsideroi si të pakuptimtë, pasi siç u shpreh më pas Garda kishte qëlluar për shkak të presionit dhe tensionit të vazhdueshëm.
Me këto argumente Gjykata e Shkallës së Parë rrëzoi Prokurorinë për vrasje me dashje në rrethana cilësuese, duke i hapur dritën jeshile Gjykatës së Apelit, e cila nga ana e saj konfirmoi se 21 Janari me katër të vrarë e disa të plagosur, “kishte ndodhur nga pakujdesia”, një version ky që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, ndërkohë që Prokurorisë i duhet tashmë t’u gjejë autorët vrasjeve të Hekuran Dedes e Aleks Nikës.
Por praktikisht me vendimin e së hënës, Gjykata e Lartë vulosi përfundimisht se çfarë ndodhi, ose më saktë se çfarë nuk ndodhi më 21 Janar; ajo që në fakt e pamë të gjithë ‘live’ në ekran: një krim shtetëror.
Top Channel