Veliaj, në përurimin e Bibliotekës së Kombinatit: Do të rihapim bibliotekat e lagjeve

24/04/2016 00:00

Në Ditën ndërkombëtare të Librit, Bashkia e Tiranës ka përuruar ambientet e reja të Bibliotekës në Kombinat, e rikonstruktuar së fundi, e që tashmë mund të ofrojë një vend të denjë ku të rinjtë e Njësisë Bashkiake 6 të mund të kalojnë kohën e lirë duke lexuar nga fondi i gjerë i librave, e duke u angazhuar në aktivitete të ndryshme artistike, sociale e kulturore.

I pranishëm në këtë përurim, kryebashkiaku Erion Veliaj ka thënë se bashkia synon të ringrejë të gjitha bibliotekat e lagjeve, për të krijuar në këtë mënyrë një mundësi më shumë për të rinjtë e apasionuar pas librave.

“Në komunitetet tona duhet të jenë gjithnjë e më të rëndësishëm të rinjtë dhe të rejat e talentuara, jeta e të cilëve ndryshon nëpërmjet librave. E duke ndryshuar jetën e tyre, këta të rinj ndryshojnë edhe jetën e komunitetit ku jetojnë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Më tej, Erion Veliaj tha se projekti i kësaj biblioteke shërben edhe si një projekt pilot, për të parë nëse bibliotekat e lagjeve mund të funksionojnë edhe si qendra rinore, por pa humbur funksionin primar, të lexuarit të librave.

“Më vjen mirë që Kombinati është stacioni ynë i parë ku ne rihapim bibliotekat e lagjes. Me pak inkurajim nga bashkia mund ta bëjmë qendrën e Kombinatit një shembull të ri, ku edhe Lapraka, edhe njësitë e tjera mund të vijnë dhe të shohin sesi menaxhohet kjo si qendër komunitare, përtej funksionit si bibliotekë”, tha Veliaj.

Në fund, kryebashkiaku shtoi se Bashkia e Tiranës do të rikonstruktojë të gjitha bibliotekat e lagjeve dhe do të shfrytëzojë të gjitha hapësirat dhe ambientet në pronësi të bashkisë, për të mundësuar që ato të shërbejnë edhe si qendra komunitare.

Kësaj biblioteke i k ardhur në ndihmë edhe Shtëpia Botuese “Dudaj”, e cila i ka dhuruar një fond librash kryesisht për fëmijë, ndërsa përfaqësuesja e saj, Arlinda Dudaj vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të rikthyer vëmendjen e qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë të të rinjve, te libri.

“Sot deklarojmë të hapur edhe projektin tonë ‘Qyteti i lexuesit’. Çfarë nënkupton ky projekt? Nuk mjafton që librat janë këtu, por e rëndësishme është rivitalizimi dhe prurja e sa më shumë njerëzve në bibliotekë. Jemi përpjekur të sjellim shumë libra për të gjitha grupmoshat, por sidomos për fëmijët, sepse është një target shumë i rëndësishëm dhe një grupmoshë që lexon pak, edhe për shkak të teknologjisë”, tha Dudaj.

Top Channel