Roma, Pjanic e Dzeko pranë largimit

23/04/2016 13:55

Roma duket se do të përjetojë një verë shumë të nxehtë në merkaton e transferimeve. Verdhekuqtë, përveçse duhet të përballen me situatat e Tottit dhe De Rossit, duhet të gjejnë një zgjidhje edhe për të ardhmen e mesfushorit Miralem Pjanic dhe sulmuesit Edin Dzeko.

Mesfushori boshnjak, edhe pse ka një kontratë me Romën deri në vitin 2018, është pranë largimit nga kryeqyteti roman. Në drejtim të tij kanë ardhur oferta nga Barcelona, Chelsea e Paris Saint Germain, ndërkohë që klauzola e zgjidhjes së kontratës së Pjanic me verdhekuqtë është 38 milionë euro.

Përsa i përket Dzekos, Roma pagoi për kartonin e tij 15 milionë euro dhe tani kërkon ta largojë për të arkëtuar më shumë të ardhura si dhe për të kursyer shifrën prej 10 milionë eurosh që është paga e sulmuesit. Për ta zëvendësuar boshnjakun, te italianët po mendohet pët kolumbianin Radamel Falcao, i cili që pas dëmtimit në vitin 2014, kur ishte pjesë e Monacos, nuk mundi të kthehet në nivelet e larta që shfaqi me Porton dhe Atletico Madrid.

Problemi në këtë pikë qëndron në faktin se Falcao është ekstrakomunitar, ndërkohë që paga e tij është 7 milionë euro në sezon.

Top Channel