Në kuadër të Ditës Botërore të Tokës, 300 fidanë të pemëve të ndryshme janë mbjellur mes pallateve pranë ish-Fushës së Aviacionit në Laprakë. I pranishëm në këtë aksion, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, konfirmoi se kjo është mënyra më e mirë për të menduar dhe mbrojtur mjedisin dhe gjelbërimin në kryeqytet.
“Sot po mbillen mbi 300 pemë të llojeve të ndryshme për t’i dhënë një jetë të re këtij parku. Ky kontribut është një mesazh i rëndësishëm që secili prej nesh, si qytetar i Tiranës, duhet të japë diçka për të përmirësuar qytetin. Sigurisht, ne e bëjmë këtë përmes taksave, por duhet ta bëjmë edhe në mënyrë aktive, duke kontribuar për qytetin”, tha Mazniku.
Shembull tipik në një ditë të tillë janë bërë nxënësit e nëntë klasave të shkollës “Misto Mame” në Tiranë. Për t’i shërbyer edukimit mjedisor ata janë bërë pjesë e një projekti 3-mujor duke punuar dhe kultivuar në oborrin e kësaj shkolle pemë dhe lule të ndryshme.
Dita Ndërkombëtare e Tokës ka shërbyer si nxitje edhe për aktivistët e PS dhe deputetin Ervin Bushati në mbjelljen e pemëve dekorative në ambientet e “Institutit të fëmijëve që nuk dëgjojnë”. “Toka është më shëndetshme, kur natyra është e pasur dhe fëmijët janë të lumtur”.
“Kjo moto na solli në këtë institut pasi vëmendja ndaj këtyre fëmijëve duhet të jetë çdo ditë të vitit, në një kauzë 100% të drejtë ku nuk ka vend për axhenda politike”, tha Bushati.
Top Channel