Pretenca për grupin e tritolit, 35 vjet Sinanajt; burg përjetë Mëhillajve

21/04/2016 11:20

Me dyer të mbyllura, siç u procedua gjatë dy viteve gjykim, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi të shpallen fajtorë të gjithë të pandehurit e të ashtuquajturës “banda e tritolit”.

Mbi të 7 të akuzuarit që konsiderohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal rëndojnë 15 vepra kriminale, që nga më të rëndat që janë vrasjet me pagesë e deri tek armëmbajtja pa leje.

Prokuroria e Krimeve të Rënda konsideroi dy eksponentët kryesorë të grupit kushërinjtë vlonjatë Andon dhe Genis Mëhillaj, për çdonjërin prej të cilëve u kërkua burgim i përjetshëm, ndërsa për 5 të tjerët u kërkuan 85 vjet burgim në total.

Sipas prokurorisë, Mëhillajt, duke paguar si vrasës Julian Sinanajn dhe bashkëpuntor Ndriçim Gjokonën kanë vrarë me paramendim shtetasin Sokol Veizi.

E njëjta skemë është ndjekur prej tyre për të vrarë edhe shtetasin Agron Çela. Gjithashtu, sipas prokurorisë, dy kushërinjtë kanë siguruar kushte për të vrarë Julian Metushin.

Me porosi të të pandehurit tjetër Ilir Karçini, ata kanë tentuar të vrasin biznesmenin Pirro Bare. Për të penduarin e drejtësisë Julian Sinanaj, prokuroria kërkoi 35 vite burgim, që duhet të vuhen në një burg të sigurisë së lartë.

30 vjet të këtij dënimi i penduari Sinanaj duhet t’i kalojë në periudhë sigurie dhe i ruajtur nga të tjerët. Sinanaj, që kishte rolin e vrasësit me pagesë në grup, i shpëtoi burgimit të përjetshëm për shkak të statusit të tij si bashkëpunëtor i drejtësisë, sikurse edhe bashkëpunëtori tjetër Ndriçim Gjokona, që u dënua me 8 vjet burgim.

Ndaj Sinanajt adresohen edhe vendosja e lëndës plasëse në automjetin e ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe vendosja e lëndës plasëse në banesën e ish-kreut të ALUIZNI-t, Ardian Kollozi. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA