Prokurori Gentian Osmani i kërkoi gjykatës ta dënojë me 4 vjet burgim ish-kolegun e tij Haxhi Giu, i cili është nën gjykim për korrupsion pasiv. Gjatë shpalljes së vendimit, Gjykata e Krimeve të Rënda duhet të mbajë parasysh aplikimin e gjykimit të shkurtuar, që do të thotë se duhet të zbresë një të tretën e dënimit.
Sipas prokurorisë, i sugjerohet gjykatës që të përdorë si rrethanë lehtësuese edhe faktin që i pandehuri Giu i ka shërbyer sistemit të drejtësisë që prej vitit 1988. “Giu ka qenë prokuror i dosjeve të vështira, si në vitin 1995, dhe ndërkohë ai ka probleme shëndetësore”, tha prokurori i çështjes para trupës gjyqësore. Ndërkohë, pritet që një ekspert i mjekësisë ligjore të përcaktojë se cila është gjendja e të pandehurit që pretendoi menjëherë pas arrestimit se i rrezikohet jeta dhe shëndeti në burg.
Për të pandehurin tjetër Aleks Shpori, i afërm me një të dënuar për çështje droge, prokuroria kërkoi dy vite burgim. Shuma prej 29 mijë eurosh që i ishte parapaguar ish-prokurorit Giu në mënyrë që të lehtësonte pozitat e një të pandehuri të konfiskohen, tha prokurori dhe të kalojnë në favor të shtetit.
Asnjëri nga të pandehurit nuk ishte në gjyq, pasi kishin shprehur vullnetin të përfaqësoheshin vetëm nga avokatët. Prokurori shpjegoi se përveç pamjeve filmike ku tregohen dy të pandehurit duke numëruar lekët në një “exchange” ka edhe dëshmi të familjarëve të Aleks Shporit.
Ata kanë treguar si i kanë dhënë lekë borxh për të nxjerrë vëllain nga burgu.
Top Channel