Britani, kampi pro shkëputjes nga BE: Duam modelin e MSA-së me Shqipërinë

21/04/2016 00:00

Aktivistët pro shkëputjes së Britanisë nga BE-ja e shohin modelin e tregtisë së bllokut me vendet e Ballkanit, e kryesisht Shqipërinë, si një shembull që duhet ndjekur edhe për Britaninë.

Prestigjiozja “Financial Times” përpiqet të kuptojë se çfarë e bën tërheqë modelin e këtyre shteteve me ekonomi të dobët, të dëshpëruara për t’u integruar në BE dhe me plagët ende të hapura të luftrave të fundit. Bëhet fjalë për vende si Shqipëria, Bosnja, Serbia dhe Ukraina…

Opsioni shqiptaro-ukrainas vlerësohet kryesisht nga Michael Gove, Sekretari britanik i Drejtësisë, dhe një sërë analistësh pro shkëputjes, që ndërthurjen e tregtisë së lirë me politikat e përshtashme i konsiderojnë si një hap përpara.

“Por çështja është se Brukseli i sheh paktet me Ballkanin Perëndimor, të njohura si Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit, kryesisht si një mbështetje të veçantë në nisje të një rrugëtimi të gjatë drejt anëtarësimit në BE për këto ekonomi relativisht të vogla e të trazuara, e jo si marrëveshje për një ekonomi të madhe e të suksesshme”, shkruan “Financial Times”.

Karel De Gucht, ish-komisioner i Tregtisë në BE, thotë se, çdo lloj krahasimi i modelit tregtar të Shqipërisë me atë që mund të ndiqte Britania në rast shkëputjeje nga BE-ja do të ishte qesharak dhe i pakuptimtë. “Shqipëria është një vend i varfër, një ekonomi e dobët në zhvillim, është sikur të krahasosh një arrë me një shalqi të madh”, citon prestigjiozja financiare fjalët e De Gucht.

Olli Rehn, i cili negocioi pakte të tilla si komsioner i Zgjerimit, deklaron për “Financial Times” se ishte befasuar, që kampi pro shkëputjes do të dëshironte një marrëveshje që do të vendoste për një kohë të gjatë Britaninë në “stolin e rezervave”.

Në teori, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë ka një shtrirje të gjerë, duke mbuluar tregtinë e mallrave dhe shërbimet financiare. Por qasja ndaj tregut të vetëm europian kushtëzohet me aftësinë e Shqipërisë për të aplikuar rregullat aktuale dhe të ardhshme të BE-së, – vijon “Financial Times”, e cila kujton se – shërbimet financiare në fjalë kanë të bëjnë kryesisht me industri që janë gati të paintegruara në tregun europian, e ndërsa Londra është nyja më e rëndësishme financiare e kontinentit të vjetër.

Top Channel